Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentimit (AMF) është krijuar në bazë dhe për zbatim të ligjit nr. 8901, datë 23.05.2002 “Për Falimentimin”, i ndryshuar, si dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 852, datë. 21.10.2010 “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentimit”. Kjo strukturë ka si qëllim kryesor mbrojtjen e integritetit të sistemit të falimentimit si dhe përcaktimin e rregullave të standardizuara për licensimin e Administratorëve të Falimentimit dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre, duke garantuar zbatimin e dispozitave që rregullojnë procedurat e falimentimit.

Në muajin prill të vitit 2012 AMF ka filluar të funksionojë dhe të ushtrojë plotësisht përgjegjësitë e ngarkuara nga ligji dhe aktet e tjera nënligjore. Funksionet dhe veprimtaria e secilës strukturë janë përcaktuar në mënyrë të detajuar në Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, nr. 4217, datë 25.06.2012 “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme të organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentimit”. Objektivat e përcaktuara në këtë urdhër janë:

 – Krijimi dhe sigurimi i një kuadri ligjor dhe rregullator, efiçent dhe efektiv, në fushën e falimentit;

– Rritja e ndërgjegjësimit mbi të drejtat dhe detyrimet e aktorëve pjesëmarrës në fushën e falimentimit;

– Mbikëqyrja dhe lehtësimi i procesit të falimentimit duke nxitur funksionimin sa më efikas, të shpejtë dhe në përputhje me ligjin;

– Kthimin e Agjencisë në burimin e vetëm të informacionit mbi çështjet e procedurave të falimentimit në Shqipëri.